Email

Xhungla mediatike shqiptare nuk rresht kurrë së habituri. Jo vetëm që mediat pirate po rriten e po shumëfishohen në kushtet e një indiference të plotë të shtetit, i cili tregon vullnet të luftojë informalitetin vetëm kur ka të bëjë me qytetarë të thjeshtë e të pambrojtur.

Por, që shteti të ngrinte, madje, dolli në tryezën e “piratëve”, kjo nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë. Po ja që, jo vetëm ndodh një gjë e tillë, por edhe “piratët” – të bindur, në të kundërt, se janë heronj trima dhe mbrojtës rigorozë të ligjit – publikojnë vetë fotot e një darke të veçantë në Facebook, madje duke u mburrur me to.

Çfarë ka ngjarë?

Ka ngjarë ajo, që një media online, e cila nuk është regjistruar, siç duhet të bëjnë të gjitha mediat, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe, pra, nuk ka një NIPT, për rrjedhojë nuk paguan tatime, për rrjedhojë nuk paguan as sigurime shoqërore për punonjësit e saj, ka festuar Vitin e Ri me një darkë luksi në një nga restorantet më të mirë e më të shtrenjtë të Tiranës.

Fakti tjetër, jo më pak befasues, është që në tryezën e kësaj media-pirate është ulur dhe presidenti i Republikës Bujar Nishani, që është edhe garanti i ligjit dhe Kushtetutës.

Le të imagjinojmë se Nishani nuk e ka ditur që ata, të cilët e kanë ftuar, nuk i paguajnë as tatime shtetit dhe as sigurime shoqërore atyre 20 punonjësve të tyre që ishin ulur rreth tryezës.

Ndoshta nuk e dinte as Kastriot Islami, ish-ministër i Financave, i cili hëngri e piu dhe për të pagoi një evazor fiskal.

Në të vërtetë, do të ishim kurjozë të dinim se me çfarë parash u pagua super-darka: kjo media-pirate, pikërisht për faktin se nuk është e deklaruar në Tatimet dhe nuk ka një NIPT, nuk është në gjendje as të thithë reklamë.

E, megjithatë, ndonëse nuk ka asnjë lek të ardhur zyrtarisht, u ka paguar të punësuarve, veç darkës, me sa duket, edhe shpërblim në fund të vitit. Të gjitha këto, ndoshta para në të zezë, të cilat nuk dihet se nga ç’burim vijnë.

Është e sikletshme që kreu i shtetit të jetë implikuar në një darkë, ku dyshohet se janë ricikluar para të pista.

Në një vend normal do të mjaftonin ato foto për të nisur një hetim të Prokurorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kushedi nëse do të ndodhë kjo edhe në Shqipëri.

Vetë kreu i medias pirate ka postuar fotot në Facebook, duke shpjeguar me mburrje se “vetë i pari i shtetit feston me të parën e mediave online”.

Inekzistente sipas ligjeve të shtetit dhe njëkohësisht e para… Ironike, apo jo? (Shqiptarja.com)

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . FOTOT/ Ironia: Media e financuar nga Zeni dhe që nuk paguan tatime, feston me kreun e shtetit FOTOT/ Ironia: Media e financuar nga Zeni dhe që nuk paguan tatime, feston me kreun e shtetit Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!