Haradinaj: Keqardhje për Francën, do takohemi shpejt në Kosovë

Edhe pse i është caktuar masa e sigurisë “burg i përkohshëm”, Ramush Haradinaj shprehet se do të takohet së shpejti me të gjithë në Kosovë. Kreu i AAK-së, i arrestuar dy ditë më parë nga policia franceze, pasi për të ekzistonte akoma një urdhër-arresti nga Serbia, i është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një status në profilin e tij në “Facebook”.

Haradinaj, duke iu referuar Francës, ndien keqardhje që shtete të tilla vazhdojnë të respektojnë politikat e ish-regjimit të Millosheviçit.

“Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviçit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë “poternicat” e tyre, – deklaron Haradinaj. – Ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviçit e lëre më nga fletë-arrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, “Rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush”.

“Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë! Juaji Ramush Haradinaj”, – e mbyll postimin ish-luftëtari i UÇK-së, Haradinaj.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Haradinaj: Keqardhje për Francën, do takohemi shpejt në Kosovë Haradinaj: Keqardhje për Francën, do takohemi shpejt në Kosovë Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!