Email

Preç Zogaj duke analizuar ndjesat e kryeministrit Edi Rama gjatë mesazhit për fundvit, mendon se “si kryeministër tipi që qeveris me propagandë”, ka “paketuar brenda saj me kujdes mburrjet dhe arritjet që kërkon të shesë”.

Në një analizë në të përditshmen “Panorama”, Zogaj shkruan se pretendimi që kryeministri ka bërë më shumë në tre vite se sa është bërë në 25 vite, është diçka e turpshme.

“Sidoqoftë të kërkosh ndjesë që ke bërë me shumë për tre vjet sesa kanë bërë të tjerët në njëzet vjet është komike, e pasinqertë. Unë nuk them se të gjitha përgjegjësitë dhe fajet për gjendjen i takojnë kësaj qeverie, po të mos ndiejë asnjë, kjo është qesharake. Pse i thotë vetes qeveri atëherë? Kjo e rrëzon në themel, si një hipokrizi, listën e ndjesave. Sepse kur flitet për çështje të pushtetit dhe qeverisjes në veprim, ndjesa është në vetë të parë, është për atë që ti mendon se ke bërë keq, ke bërë gabim apo nuk e ke bërë fare siç e ke premtuar. S’ka ndjesë jashtë vetes tënde”, shkruan ai.

Zogaj thotë se opozita ka denoncuar me emra dhe fakte lidhjet e krimit me qeverinë.

“Opozita ka denoncuar me emra dhe fakte lidhjet e krimit me qeverinë, ka denoncuar drejtues të policisë të lidhur me narkotrafikantë, sikurse ka denoncuar koncesionet korruptive në shëndetësi. Kjo nuk është baltë mbi uniformat blu apo bluzat e bardha. Kryeministrit në këtë rast thjesht kërkon t’i trajtojë punonjësit e shëndetësisë dhe policisë si mburoja njerëzore për akuzat që i drejtohen atij dhe ministrave të tij”, thotë Zogaj.

Ai shkruan se aktualisht nuk ka asnjë bandit me emër të arrestuar dhe bosë të mëdhenj të drogës, teksa shton bandat që mbajnë nën terror qytete e krahina po përgatiten t’u lëshohen si lukuni zgjedhjeve të ardhshme:

Prandaj sot e gjithë malavita është mbledhur dhe vazhdon të mblidhet rreth tij. Prandaj, me ndonjë përjashtim të rrallë, kur rasti ka hedhur në pranga ndonjë bandit me emër, nuk ka në qeverisjen e Ramës kriminelë dhe bosë të mëdhenj të drogës të arrestuar, çfarë nuk e ka ndaluar as mungesa e vetiungut, as reforma në drejtësi.

Bandat dhe banditët që mbajnë nën terror qytete e krahina, dhe që po përgatiten t’u lëshohen si lukuni zgjedhjeve të ardhshme reklamojnë bekimin e tij prej shefi dhe garanti. Në qytetin, lagjen apo fshatin ku banojnë qytetarët shqiptarë i njohin banditët lokalë dhe e dinë se kush i mbron e pse i mbron. Kjo do të ishte e vetmja ndjesë, e vetmja falje, e vetmja mea culpa reale e Edi Ramës.

Për një gjë që ka autorësinë e tij, që është prurja, gjurma, shenja e tij (shpresojmë jo trashëgimia e tij) në politikën e këtij vendi. Kjo është e vërteta që edhe kur thuhet si mërmërimë, apo thjesht kur mendohet, ushton më fort se një bubullimë. Mjerisht, Edi Rama nuk ka thënë një fjalë dhe duket se është shumë larg një ndjesë për këtë gangrenë që do ta vrasë plotësisht Shqipërinë nëse Shqipëria nuk e shkul atë”.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Preç Zogaj: Bandat po përgatiten t’u lëshohen si lukuni zgjedhjeve të ardhshme Preç Zogaj: Bandat po përgatiten t’u lëshohen si lukuni zgjedhjeve të ardhshme Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!